Tiranë, 19 qershor 2014  – Florenc Hoxha kreu i Inspektoratit Ndertimor Urbanistik Vendor pranë Bashkisë së Tiranës është arrestuar mbrëmjen e së enjtes nga strukturat e Policise së Tiranës nën akuzën e “shpërdorimit të detyres” dhe “kryerja e veprimeve arbitrare”. 

Ndërkohë një tjetër urdhër-arresti është lëshuar për kreun e Inspektoriatit Urbanistik Kombëtar, Zyhdi Dajti që pritet të ekzekutohet nga momenti në moment. 

Burime nga Policia e Tiranës bëjnë të ditur se ndaj Florenc Hoxhës, vetëm gjatë 3 muajve të fundit janë depozituar në Polici 6 kallëzime penale për shpërdorim detyre. Mësohet se në këto kallëzime Florenc Hoxha akuzohet se nuk ka ndërhyrë për prishjen e ndërtimeve pa leje, ose i ka prishur ato në mënyrë selektive. 

Arrestimi i Florenc Hoxhës u bë pas vendimit të Gjykatës së Tiranës, e cila ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg”.

Ndërkohë po me vendim të Gjykatës pritet të arrestohet edhe kreu i INUK-ut Zyhdi Dajti i cili prej muajsh po drejton operacionin në të gjithë vendin për shkatërrimin e objekteve pa leje. Mësohet se akuzat në adresë të Dajtit janë ato për shpërdorim detyre, veprim në kundërshtim me vendimet e Gjykatës dhe tejkalim kompetencash.

Hetimet kanë nisur një muaj më parë nga njësia Task Forcë e Prokurorisë së Tiranës.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/