28 shtator 2013- Eshtë arrestuar sot në mëngjes në Athinë kryetari i partisë neonaziaste Agimi i Artë, Nikos Mihaloliakos si dhe numri 2 i partisë, deputeti neoazist Ilias Kasidiaris, me akuzën e krijimit të organizatës kriminale, pjesë e një goditjeje të paprecedent mbi një parti politike.
Arrestimi është kryer sot në mëngjes me urdhrin e prokurorit të Gjykatës Supreme, i cili ka lëshuar plot 36 urdhërarreste, nga të cilat janë zbatuar 14.
Mësohet se është arrestuar edhe deputeti Janis Lagos, ndërsa janë vetëdorëzuar deputetët Ilia Panajotaras dhe Jorgos Gjermeni. Në pranga është vënë edhe Jorgos Patelis, kreu i organizatës lokale të Agimit të Artë në Nisë si dhe kryetari i degës së partisë në zonën ku u vra këngëtari Pavlos Fissas.
Ndërkohë janë në kërkim nga policia deputetët Kristos Papas dhe Nikos Mihos.
Deputeti Kristos Papas foli në Radio real FM, ku ka deklaruar se është i lirë. “Po lëviz lirisht dhe nuk shoh askënd”, tha Papas i cili shtoi se akuzat e qeverisë kundër deputetëve, janë të pashembullta. “Qeveria është organizatë kriminale, e cila në bashkëpunim me Trojkën po shkatërron Atdheun”, tha deputeti neonazist duke shtuar se Samaras po përpiqet ta zhytë vendin në luftë civile, por kjo nuk do të lejohet.
Ndërkohë anëtarët e Agimit të Artë janë mbledhur jashtë selisë së policisë në Athinë, ndërsa në Molaus disa prej tyre janë përleshur me qytetarët.
Prokurori i Gjykatës së Lartë, që ka marrë përsipër cështjen e Agimit të Artë, disponon regjistrime telefonike dhe të tjera dëshmi, që provojnë se deputetët ishin të përfshirë në veprimtari kriminale.
Sipas informacioneve Mihaloliakos dhe Kasidiaris (që është zëdhënësi i partisë) nuk kanë bërë rezistencë gjatë arrestimit dhe janë dërguar në drejtorinë e policisë së Atikës.
Vepra penale, për të cilën po hetohen dhe akuzohen, mbështetet në nenin 187 të Kodit Penal, i cili lejon arrestimin e deputetëve, pa e hequr imunitetin e tyre.
Qeveria është informuar mbrëmë për aksionin e sotëm, ndërkohë që sipas Kushtetutës të arrestuarit kanë të drejtë ta mbajnë imunitetin derisa drejtësia t’i nxjerrë fajtorë për akuzën që mbajnë.
Qeveria greke nisi një goditje të fortë mbi Agimin e Artë, pas vrasjes së këngëtarit grek antifashist Pavlos Fissas. Policia kreu bastisje në zyrat e Agimit të Artë dhe u bënë shkarkime të krerëve të lartë policisë. Policia madje arrestoi një nga kolegët e saj, i cili thuhet se ishte shumë i afërt me partinë neonaziste, ndërkohë që nuk rezulton asnjë implikim i Forcave të Armatsura me veprimtarinë e kësaj partie.
Kryeministri grek Samaras ka deklaruar se aktivitetet kriminale do të shkatërrohen. “Demokracia i ka mjetet të shtypë fenomene të tilla me ligjshmërinë dhe Kushtetutën”, tha ai.
Kreu i grupit të deputetëve socialist në PE, Hannes Svoboda shkroi në tëitter: “Jam i lumtur për veprimin e fortë të autoriteteve greke ndaj Agimit të Artë dhe shpresoj se ai është i bazuar mbi një bazë të qartë ligjore”.
Agimi i Artë fitoi rreth 7% të votave në zgjedhjet e 2012, por zhvillimet e fundit e kanë ulur ndjeshëm mbështetjen për të.
Muajt e fundit, Agimi i Artë ka qenë i akuzuar edhe për kryerjen e sulmeve mbi emigrantët dhe kundërshtarëve politikë, duke përfshirë edhe sulmin ndaj anëtarëve të Partisë Komuniste në fillim të shtatorit, ku mbetën të plagosur 9 persona.
Eshtë hera e parë që në Greqi arrestohet një kryetar partie dhe deputetë të parlamentit, që prej rënies së dikaturës në vitin 1974.
/balkanweb/





