Është arrestuar përsëri lideri i opozitës ruse, Alexei Navalny. Ndalimi i tij u bë në Moskë, ndërsa po merrte pjesë në një protestë të paautorizuar, në të cilën bëri thirrje për bojkotimin e zgjedhjeve presidenciale. Më herët policia bastisi dhe zyrat e fondacionit të tij anti-korrupsion.

Mësohet se 27 persona të tjerë janë arrestuar nga policia ruse për protestat e thirrura nga lideri opozitar. Navalny nuk arriti të kandidonte për president për shkak të një dënimi të mëhershëm, për të cilin analistët mendojnë se ishte i motivuar politikisht.

Ndërsa më herët gjatë së dielës, policia ruse ka zhvilluar një operacion kontrolli në selinë e Fondacionit anti-korrupsion të liderit të opozitës, Alexiei Navalny.

Motivi i bastisjes ishte për një “alarm për bombë”. Sipas medias online “Meduza”, që raporton lajmin, agjentët kanë sekuestruar kompjuter, server dhe filmime të telekamerave të sigurisë.

Operacioni u zhvillua në një ditë ku në të gjithë Rusinë u zhvilluan manifestime anti-qeveritare dhe anti-elektorale të organizuara nga Navalny.

Ndërkohë, 41-vjeçari mban rregullisht protesta kundër presidentit Vladimir Putin dhe është arrestuar disa herë për zhvillimin e tyre në mënyrë të paautorizuar.

Putin, i cili refuzon të thërrasë Navalny në emër, pretendon se ka një mbështetje të madhe nga qytetarët në Rusi dhe pritet të fitojë lehtësisht një mandat të katërt në drejtim të Kremlinit.