26 nëntor 2015 – Një tjetër shtetas i huaj është arrestuar nga Policia Kufitare në Rinas, i cili po ashtu si siriani që u kap dy net më parë, akuzohet për falsifikim dokumentesh.

Burime nga policia bëjnë me dije se në pranga ka rënë shtetasi malez, Aboubacar Doumbia,  20 vjeç, lindur e banues në Bamako-Mali.

“Më  datën 25.11.2015 në orët e mbrëmjes  është ndaluar në hyrje në R.SH në P.K.K. Rinas me linjë ajrore, pasi ky shtetas ka paraqitur si dokument udhëtimi në kabinat e kontrollit policor në Rinas, pasaportën e tij maleze me një vizë shqiptare e tipit C me afat vlefshmërie nga data 17.11.2015-16.02.2016 e lëshuar më datë 11.11.2015 nga Konsullata Shqiptare në qytetin e Kajro-Egjipt e dyshuar si e falsifikuar”, njofton policia.

Dokumentet e tij të udhëtimit u sekuestruan,  dhe gjithashtu u bë vendimi për ekspertim teknik i dokumenteve të cilat janë dërguar në DPSH për ekzaminim të mëtejshëm.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale  “Falsifikim i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”.

/S.L. portali DurresLajm/