14 dhjetor 2013 – Gazeta “Panorama” shkruan sot se një prej mbesave që i vodhi dajës 15 milionë lekë të rinj dy vjet më parë, është vënë në pranga nga Policia e Tiranës, pasi ishte dënuar në mungesë nga Gjykata e Apelit me 2 vjet e 4 muaj burg. 

E arrestuara është 20-vjeçarja Oligerta Agushi, e cila u ndalua nga Komisariati Nr. 2, pasi rezultonte person në kërkim për vjedhje në bashkëpunim më shumë se një herë dhe me pasoja të rënda. Agushi, bashkë me vajzën e tezes së saj (mbesën tjetër të të dëmtuarit), Laureta Kormaku dhe shoqen e tyre Afërdita Pecmarkaj, janë deklaruar fajtore me vendim të formës së prerë për vjedhjen e kryer më 4 janar të vitit 2012. Ngjarja për të cilën ato akuzohen ka ndodhur në lagjen e njohur si “Kodra e Priftit” në Tiranë, në banesën e dajës së tyre, Avdyl Projko. 
Dy vajzat, në atë kohë 18-vjeçare, bashkë me një mikeshë të tyren, e kanë realizuar vjedhjen në tri etapa, pasi kanë zbuluar vendin se ku i mbante paratë biznesmeni i floririt Abdyl Projko. 
Faza e parë e krimit, ku janë marrë njëherësh 5 milionë lekë, ka ndodhur në tetor të vitit 2011, ndërsa e fundit në ditën e parë të Vitit të Ri, kur Projko ka zbuluar vjedhjen dhe e ka denoncuar në polici. Policisë i janë dashur vetëm katër ditë për të zbuluar autorët.