Manjati serb, Mirosllav Mishkoviç, një nga njerëzit më të pasur në Ballkan, është arrestuar nga policia serbe për shkak të dyshimeve për keqpërdorime financiare, por edhe për dyshime të privatizimeve dhe pastrim parash. Mishkoviç është arrestuar së bashku me të birin, Markon, i cili thuhet se disa ditë më parë ka tentuar të largohet nga vendi.
Bashkë me ta janë arrestuar tetë persona, ndër të cilët edhe Milo Gjurashoviç. Policia ka caktuar paraburgim prej 48 orësh për Mishkoviçët, ndërsa janë dërguar në prokurori për krimin e organizuar. Mirosllav Mishkoviç, pronar i kompanisë “Delta”, që ka pasur pasuri marramendëse, nga njeriu i panjohur ka arritur deri te listat e revistave si “Forbes”, për një nga njerëzit më të pasur në botë.
Ndërkaq në Shqipëri, Mishkoviç kishte hyrë me kompaninë e dikurshme “Euromax” dhe disa investime të tjera. Delta Holding” është kompania më e madhe private në Serbi. Ajo kishte hyrë në rrjetin shqiptar, duke blerë fillimisht rrjetin e supermarketeve “Euromax”, të cilin e shiti më vonë te “Delhaize”.
Mediat serbe theksojnë se Mishkoviç është pasuruar në kohën e luftërave të Sllobodan Millosheviçit, por më pas njihet si i afërt me demokratët dhe financues i shumë partive politike. Përveç lidhjeve të përmendura me narko klane, Mishkoviç, është ndaluar për shkak të privatizimit të kompanive të rrugëve.