Tiranë, 17 maj 2014 – Një 55-vjeçar që hiqej si mjek popullor dhe pretendonte se shëronte kancerin është vënë në pranga nga policia.
Avni Lipe ka mashtruar 116 persona duke u marrë nga 1 mln lekë për të kuruar kancerin. 55-vjeçari u arrestua në kuadër të operacionit “Mjeku popullor” në lagjen “Don Bosko”. Arrestimi i tij u bë nga strukturat e krimit ekonomik.
Policia bën me dije se për arrestimin e mjekut janë kryer hetime intensive për disa muaj pas kallëzimit të një vajze. Vajza kishte bërë denoncim në polici, pasi ishte mashtruar nga 55-vjeçari Avni Lipe. Vajza megjithëse i kishte paguar Lipes rreth 4 milion lekë vazhdonte të ishte në gjendje të rëndë shëndetësore. Madje, e reja i ishte drejtuar për kurim edhe spitalit “Nënë Tereza”, pasi pas ‘kurimit’ të Lipes ishte bërë më keq.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





