Boris Wolfman, një mjek rus i dyshuar se drejtonte një klinikë të jashtëligjshme me vendndodhje në Kosovë, për trafikimin të organeve, është arrestuar në Tiranë.

Organet shiteshin në tregun e zi në të gjithë botën, nga Kosta Rika në Turqi. I ndaluari kishte dy kombësi, ruse dhe izraelite.

Sipas mediave italiane, “dhuruesit” mashtroheshin. Atyre u premtohej 15 mijë euro në këmbim të një veshke, por të shumtë janë shtetasit rus dhe nga vendet e tjera të ish-Bashkimit Sovjetik që pas operacionit nuk morën asnjë qindarkë.

Klinika quhej “Medicus” dhe është mbyllur, ndërsa pronarët e saj janë dënuar me 8 dhe 7 vite burg. Wolfman kishte arritur të shpëtonte. Ai ishte ndaluar disa muaj më parë në Turqi, por ia kishte dalë që të lihej i lirë.

Po sipas medieve italiane, dyshohet se mjeku kishte trafikuar më shumë se 30 organe.

Ndërkohë, një javë më parë, Gjykata e Tiranës vendosi të pranonte kërkesën e Prokurorisë për sekuestro preventive të llogarive bankare të klinikës “A New Life 4U” sh.p.k. me administrator dhe ortak shtetasin Robert Shpolinske.

Boris Wolfman, sipas akuzës, ka tentuar të pastrojë para në Shqipëri nëpërmjet një klinike të hapur në qendër të Tiranës, në vitin 2014 nga një tjetër shtetas rus.