Në kuadër të operacionit policor “Arratia”, është arrestuar në Durrës një 20-vjeçar nga Kosova.

Sipas njoftimit të policisë 20-vjeçari Riad Sopjani ka qenë i dënuar më parë në Kosovë, për grabitje, vjedhje dhe trafikim të qenieve njerëzore.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën ku ai strehohej në Durrës, efektivët e policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë një sasi kanabisi.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ILECU Kosovë, pasi është i kërkuar në nivel vendor në Kosovë dhe ka tre urdhra ndalimi të lëshuara nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Ndërkohë 20-vjeçari do të ekstardohet në shtetin e Kosovës.

NJOFTIMI I POLICISË:

Durrës

Finalizohet operacioni policor i koduar “Arratia”.

Operacioni nga DVP Durrës, Interpol Tirana dhe FAST Albania, në bashkëpunim me ILECU Kosovë.

Kapet dhe vihet në pranga një 20-vjeçar, i dënuar për grabitje, vjedhje dhe trafikim të qenieve njerëzore, i arratisur nga Qendra Korrektuese e Lipjanit, në tetor 2020.

Në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative për vendndodhjen e një personi të shpallur në kërkim nga Kosova, nga ana e Seksionit për Hetimin e Narkotikeve në DVP Durrës dhe Forca e Posaçme Operacionale Durrës, në bashkëpunim me Interpol Tirana, FAST Albania dhe ILECU Kosovë, u organizua dhe finalizua operacioni policor i koduar “Arratia”.

Në kuadër të operacionit u bë kapja dhe arrestimi provizor me qëllim ekstradimi drejt Kosovës, i shtetasit Riad Sopjani, 20 vjeç, banues në Prishtinë, i dënuar më parë në Kosovë, për grabitje, vjedhje dhe trafikim të qenieve njerëzore.

Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën ku ai strehohej në Durrës, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike cannabis sativa.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ILECU Kosovë, pasi është i kërkuar në nivel vendor në Kosovë dhe ka tre urdhra ndalimi të lëshuara nga Gjykata Themelore e Prishtinës. Ky shtetas është arratisur nga Qendra Korrektuese e Lipjanit, në tetor 2020.

Në përfundim të veprimeve të para të kryera nga strukturat hetimore të DVP Durrës u bë arrestimi provizor i tij, me qëllim ekstradimin në shtetin e Kosovës, mbështetur në “Konventën Evropiane të Ekstradimit” të vitit 1957.