Ndalohet në Durrës 42-vjeçari nga Rusia, i akuzuar për Pornografi, gjithashtu edhe si inxhinier i anijes me drogë që u kap në portin e Durrësit në muajin maj,
Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës u bë ekzekutimi i urdhrit të ndalimit, të lëshuar nga Gjykata e Shkallës së Parë Durrës, për shtetasin:
-Gregory Gorbunov, 42 vjeç, banues në Rusi, për veprën penale “Pornografia”. Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës i ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg”.
Nga veprimet hetimore rezultoi se 42-vjeçari ishte inxhinier i dytë i anijes që u kap me 49 kg kokainë, në portin e Durrësit, në maj të këtij viti. Gjithashtu, gjatë veprimeve, rezultoi se shtetasi G. G. mbante në telefonin e tij materiale të ndryshme pornografike.
Arrestimi i tij nuk ka lidhje me kokainën, por me materialet pornografike me të mitur që i janë gjetur në aparatin e tij celular, teksa ngjarja vjen pikërisht pas vendimit për heqjen e sekuestros ndaj anijes Unistream dhe kthimin e pasaportave pjesëtarëve të ekuipazhit të anijes.
Prej afro dy muajsh pasaportat dhe sendet e tjera të ekuipazhit të anijes Unistream kanë qenë nën sekuestro dhe pikërisht në telefonin e shtetasit rus Gorbunov janë gjetur mesazhe, foto dhe video pornografike me të mitur.
Për shkak të ndjeshmërisë së lartë që ka çështja është vënë në dijeni dhe ambasada ruse. Ndërkohë policia ka arrestuar pjesëtarin e ekuipazhit në funksion të hetimit të nisur ndaj tij deri në një vendimmarrje mes palëve për hetimin. Anija u vu nën sekuestro në muajin maj, pasi gjatë kontrollit në portin e Durrësit, u zbulua një sasi prej 60 kg kokainë.





