Kishin për qëllim të udhëtonin drejt vendeve evropiane, por do t’u duhet të kalojnë ca kohë pas hekurave.

Kjo i ka ndodhur një të riu nga Durrësi në aeroportin e Rinasit dhe një të riu nga Kosova në portin e Durrësit.

I pari është paraqitur pranë sporteleve të policisë kufitare me kartë identiteti dhe patentë greke false, ndërsa 24-vjeçari nga Suhareka ka përdorur pasaportën e një bashkëqytetari të tij, duke shfrytëzuar ngjashmërinë me të.

Në të dy rastet, policia kufitare ka bërë shoqërimin e tyre në komisariat, ku janë lënë pas hekurave.

Njoftimet e policisë:

  • Më datë 17.04.2018, u arrestua në flagrancë shtetasi E.SH, vjeç 22, banues në Durrës, pasi në PKK Rinas, në dalje, iu gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale një kartë identiteti dhe një leje drejtimi mjeti greke, të falsifikuar. Nenet 189/2 e 186/2 të Kodit Penal.
  • Më datë 18.04.2018, në S.P.K.M Port, u arrestua në flagrancë shtetasi M.K, vjeç 24, banues në Suharekë, Kosovë, pasi ju gjet e sekuestrua me cilësinë e provës materiale një pasaportë kosovare në emër të shtetasit E.B, të cilën po e përdorte duke shfrytëzuar ngjashmërinë, si dhe u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për shtetasin E.B, vjeç 28, banues në Suharekë, Kosovë, i cili i ka dhënë pasaportën shtetasit Mehmet Reshat Kryeziu, për të udhëtuar në Itali. Nenet 189, 186 e 298 të Kodit Penal.