Dragos Savelescu, bashkëshorti i modeles shqiptare, Angela Martini është arrestuar teksa po shijonte pushimet luksoze në Mykonos të Greqisë.
Biznesmeni rumun përfundoi në pranga pasi akuzohet për përfshirjen në një skandal të madh në Rumani që ka lidhje me përvetësimin e parave publike.
“Dragos po bënte pushime “Dolce vita” me para të vjedhura”, shkruan media greke, Protothema.
Për kapjen e tij u përfshinë zyrtarët e nëndrejtorisë së policisë së Mykonos dhe sipas mediave greke, Savulescu nuk ka kundërshtuar forcat zyrtare gjatë arrestimit.
Kujtojmë që në fillim të vitit 2019, Dragoș Savulescu, u dënua me 5.5 vjet burg, për përfshirjen e tij në një skandal të madh ekonomik në Rumani bashkë me ish-kryebashkiakun e Konstancës, Radu Mazare, Cristi Borcea dhe të pandehur të tjerë që u shpallën fajtorë për përvetësimin e një totali prej 114 milionë eurosh. Mirëpo pas vendimit të gjykatës, biznesmeni u arratis në Napoli, Itali.
Urdhri i arrestit për Savulescu u lëshua nga Interpoli me kërkesë të autoriteteve rumune për pjesëmarrje në një organizatë kriminale dhe për mashtrim kundër shtetit.