Një 26-vjeçar me orgjinë nga Shqipëria është arrestuar në ishullin e Mykonos, pasi shpërndante GBL metamfetamine, substancë që ndihmonte për përdhunimin e personave dhe hidhej pa dijeninë e tyre në pije dhe përdorej gjerësisht në festat e organizuara në ishull.

Sipas medieve greke, 26-vjeçari shqiptar, i quajtur Aleksandër shërben si punonjës i aeroportit të ishullit Mykonos, u arrestua mbas një operacioni të posaçëm të forcave të antidrogës së Selanikut dhe Athinës. Policia e Selanikut dhe Athinës pati informacione për "Aleksandrin Shqiptar" që në mesin e gushtit.

Prej hetimeve me metoda speciale dhe vëzhgim disa ditor, u bë i mundur arrestimi i 26 -vjeçarit, në banesën e të cilit u gjet sasia prej më shumë se 1 litër të lëndës GBL që përdoret gjerësisht kohët e fundit në baret e ishullit të famshëm grek, për të krijuar gjendje ekstaze dhe rritje të dëshirës seksuale, u gjet gjithashtu ketamine, ekstazë, 1800 pako najloni dhe 50 shiringa.

Ekipi i vendosur për të kapur shqiptarin dinte çdo hap të tij. Sipas medias greke, ndërsa ai parkoi makinën e tij dhe po përgatitej për të hyrë në aeroport, portierët dhe policia nxituan drejt tij dhe e ndaluan me pranga. Shqiptari kur u pyet për lëndën që mbante në shtëpi u shpreh se e kishte për përdorim personal, raporton “Shqiptarja.com”.

Ekspertë të luftës kundër narkotikeve, thonë se GBL konsiderohet si një ndër lëndët më me shume efekte negative për përdoruesit dhe janë konstatuar një numër i madh i abuzimeve seksuale dhe përdhunimeve të kryera prej përdorimit të kësaj droge.

Viktimave iu hidhet pa dijeninë e tyre në pije një sasi e kësaj droge dhe në vazhdim janë denoncuar dhjetëra abuzime dhe përdhunime, të cilat kohët e fundit janë raportuar, duke dëmtuar famën e ishullit, por edhe duke dëmtuar arkat e shoqërive të sigurimit, për pos dëmit psikologjik të pa riparueshëm që iu bëhet viktimave të këtyre abuzimeve. Ekspertët thonë se përdorimi i saj, përveç se shtyn përdoruesin në akte seksuale, i heq viktimës edhe kujtesën për atë akt.

Policia greke thotë se autori kishte përfituar shuma të mëdha parash, duke shitur këtë lëndë. Ai konsiderohet si një ndër trafikantët më  të rrezikshëm të arrestuar me këtë lloj droge në Greqi. Task Forca për Prokurorinë e Drogave të Autoritetit  të Portit në Mykonos,  Divizioni i  Prokurorisë së Drogave të Autoritetit të Portit dhe  Attica Security shprehen se çështja është e thellë dhe do të gjurmohen personat me të cilët ka folur 26-vjeçari e do të gjenden shefat për të cilët ai punonte.