Italiani Enrico Gazzo, i njohur si narkotrafikanti i 1 ton kokaine është arrestuar në Rinas. 49-vjeçari rezultonte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi ndaj tij, Gjykata e Lartë e Perusë kishte vendosur masën e sigurisë arrest me burg, për trafikim ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Në bashkëpunim me Italinë, në maj të vitit 2008, autoritetet peruane sekuestruan në Lima një ngarkesë prej rreth 1 ton kokainë.

49-vjeçari me origjinë nga Milano, zotëron në Carrara të Italisë një kompani që merret me përpunimin e qelqit. Sipas hetimeve, ka rezultuar se Gazzo do ishte marrësi i ngarkesës së drogës, e cila ishte përzier me Bentonit Natriumi, e fshehur brenda 219 çantave dhe do të dërgohej në Itali nëpërmjet portit të Livornos.

Nga adresa zyrtare e kompanisë së 49-vjeçarit ishte nisur nëpërmjet e-mail-it kërkesa për marrjen e produktit Bentonit Natriumi.

Për të njëjtën çështje, në nëntor të vitit 2011, Enrico Gazzo u arrestua në Bjellorusi pas një urdhër-arresti sërish të lëshuar nga një gjykatë peruane, por ai arriti t’i shpëtonte ekstradimit pas shkeljeve të afateve procedurale.

Më herët, ai ishte arrestuar në mars të vitit 2010 si i dyshuar për trafik kokaine nga Amerika e Jugut përmes Spanjës, ku dyshohet se kishte menaxhuar marrëdhëniet me grupet furnizuese kolumbiane, që sillnin drogën në Itali për ta shpërndarë më pas në vendet e tjera të Europës.

Tashmë pritet ekstradimi i narkotrafikantit të njohur drejt Perusë. /Tv Klan