Arrestohet në Selanik shqiptari i arratisur nga burgjet greke. Lajmi bëhet publik prej drejtorisë së policisë së Selanikut, e cila njofton se në kuadër të një operacioni të zhvilluar në zonën e Evozmit në Selanik ka bërë të mundur arrestimin e 36-vjeçarit shqiptar, të cilit iu gjet një armë tip pistoletë me 5 fishekë.
Autoritet greke sqarojnë se emri i të arrestuarit nuk është bërë publik, pasi sipas këtyre burimeve në skedat e policisë greke ai është regjistruar me shumë emra, të cilat nuk korrespondojnë me asnjë të dhënë në sistemin TIMS të vendit tonë, çka e bën të vështirë identifikimin e tij.
Por pavarësisht emrit të tij, 36-vjeçari duket se është në telashe të tjera me drejtësinë greke, pasi është verifikuar prej të dhënave daktiloskopike në sistemin grek të drejtësisë, ku rezulton i arratisur nga burgu bujqësor i Kasandrës që prej janarit të 2019-s, kur kryente dënim për vjedhje.





