Një punonjës i policisë në Vlorë është arrestuar pas kryerjes së një sërë veprave penale.
Mësohet se polici Mariglen Salaj ka qenë duke drejtuar një automjet në gjendje të dehur teksa ka shkaktuar një aksident, dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.
Në momentin që është ndaluar nga efektivët e “Shqiponjave”, Salaj i ka kundërshtuar.
Njoftimi i AMP:
Më datë 18.03.2022, Drejtoria Rajonale e AMP Vlorë ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë në Komisariatin e Policisë Vlorë, Nënkomisar M.S., për “Mosbindje ndaj urdhërit të punonjësit të policisë”, “Largim nga vendi i aksidentit” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
Arrestimi u krye pasi punonjësi i policisë, duke drejtuar automjetin me targa AB 811 CE në gjendje të dehur, ka goditur një automjet duke i shkaktuar dëme materiale dhe është larguar nga vendi i ngjarjes duke braktisur edhe mjetin e tij. Gjithashtu, ai ka kundërshtuar edhe punonjësit e policisë të Seksionit “Shqiponja” gjatë shoqërimit të tij.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, nga ana e specialistëve të Drejtorisë Rajonale të AMP Vlorë janë kryer veprimet proceduriale duke kryer arrestimin në flagrancë të Nënkomisar M. S., me detyrë Specialist për hetimin e krimit në Komisariatin e Policisë Vlorë, për kryerjen e veprave penale parashikuar nga nenet 242, 273 dhe 291 të Kodit Penal.





