TIRANË, 7 tetor 2013 – Para nën dorë dhe çështja në polici mbyllet. Këtë premtim i dha nënkomisari i Komisariatit të qytetit të Pogradecit, premtim që i kushtoi një palë pranga dhe detyrën me rëndësi që gëzonte.
Nënkomisar Agustin Cinari, specialist i hetimit dhe parandalimit të krimit në Komisariatin e Pogradecit është arrestuar sot pasdite me akuzën e korrupsionit.
Ai i kishte kërkuar lekë një personi, duke i premtuar atij se do t’i mbyllte një çështje që kishte të hapur.
SHKB organizoi operacionin për kapjen e tij në flagrancë, në çastin që nënkomisari ishte duke marrë lekët.
Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm vuri në pranga nënkomisarin e policisë së Pogradecit mbi të cilin rëndon akuza e shpërdorimit të detyrës dhe mitmarrjes.
Lidhur me këtë rast materialet i kaluan prokurorisë, ndërsa vijojnë hetimet intensive për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.





