5.6 kg është sasia e kanabisit me të cilën u kap në pikën kufitare të Qafë Thanës një ditë më parë shtetesja bullgare Maria Piskova Kurtanovic, 28 vjeçe, banuese në Pazarxhik Pllavdiv.

Lënda narkotike u gjet në pjesën e prapakolpit të automjetit tip “Mercedes-Benz” me targa BL987TS me të cilin po udhëtonte e reja bullgare, e ndarë në 21 pako.

“Nisur nga dyshimet e shfaqura, ky mjet u përzgjodh nga shërbimet e Policisë Kufitare, për verifikim në vijën e dytë, ku në bashkëpunim edhe me strukturat e Doganës u krijuan dyshime se në të mund të ishte fshehur lëndë e dyshuar narkotike.Gjatë kontrollit të ushtruar, konkretisht në pjesën e prapakolpit të këtij mjeti u konstatuan dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 21 pako të mbështjella me letër natriban me peshë 5,6 kg lëndë e dyshuar si narkotike Cannabis Sativa”.

Policia e Korçës shpalli në kërkim dy vëllezër nga Saranda pasi dyshohet se këta shtetas i kanë dhënë në përdorim mjetin tip “Benz” me targa BL 987 TS, me të cilin u kap shtetasja bullgare.

Policia e Sarandës bëri të mundur sot arrestimin e njërit prej tyre, përkatësisht të shtetasit Saimir Nanaj 53 vjeç, ndërsa vijon puna për kapjen e të vëllait K.N 42 vjeç.

Në cilësinë e provës materiale, shtetases bullgare iu sekuestruan:

-21 pako me peshë 5,6 kg lëndë e dyshuar si narkotike Cannabis Sattiva

-Mjeti tip “Benz” me targa BL 987 TS

-70 Euro

-1 aparat celular

Materialet i kaluan Prokurorisë të Krimeve të Rënda në Tiranë për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë”.