Gjirokastër, 23 qershor 2014 – Policia e Shtetit edhe gjatë ditës së sotme ka vijuar operacionin në fshatin Lazarat për kontrollin e territorit dhe ambienteve, me qëllim gjetjen e asgjësimin e lëndëve narkotike, sekuestrimin e sendeve të kundërligjshme, kryerjen e veprimeve procedurale dhe hetimore, si dhe vënien para drejtësisë të atyre personave që kanë kryer veprime të kundraligjshme.
Kështu është arrestuar në flagrancë Inspektor Lorenc Alia, punonjës i Policisë Rrugore në Komisariatin e Policisë Gjirokastër, pasi akuzohet se gjatë operacionit policor në Lazarat ka shpërdoruar detyrën, duke abuzuar me qëllim përfitimi gjatë procesit të shoqërimit dhe sekuestrimit të automjeteve të dyshuara në Lazarat.
Po mbrëmë është arrestuar Alim Turabi Basho, vjeç 50, banues në Lazarat, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në bodrumin e banesës së tij është gjetur e sekuestruar një armë zjarri automatik dhe tre krehëra me fishekë, ndërkohë në një largësi 5 m nga banesa, në një stallë që përdorej prej tij, janë gjetur 4 thasë me lëndë të dyshuar narkotike e llojit kanabis sativa e thatë me një peshë prej 234 kg.
Në kuadër të këtij operacioni deri në këto momente janë arrestuar 22 persona të dyshuar për sulmet me armë ndaj forcave të policisë, për kultivimin kanabisi, prodhim e shitje të narkotikëve, kundërshtim të punonjësve të policisë apo për shkatërrim prone.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





