Policia ka arrestuar njërin nga autorët e tentativës së grabitjes së çiftit Laze mbrëmjen e 19 janarit në Allias. I arrestuari në kuadër të operacionit të koduar “Mjegulla” është Fation Mërtënika 28 vjeç, lindur në Elbasan dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për drogë.
Ndërkohë që është shpallur në kërkim autori tjetër me inicialet M. C. të dy me precedent të mëparshëm penal në fushën e narkotikëve dhe të vjedhjes. Gjatë operacionit janë gjendur dhe sekuestrohen edhe dy armët e dyshuara të përdorura gjatë tentativës për grabitje, municion luftarak, maskë e sende të tjera.
Policia njofton se ngjarja u dokumentua me prova. Armët e zjarrit dhe konkretisht një kallashnikov dhe një pistoletë janë gjetur të fshehura rreth një kilometër larg banesës që tentuan të vidhnin. Gjithashtu, së bashku me armët e zjarrit, policia gjeti të fshehura një maskë, municion luftarak, fasheta plastike e sende të tjera.
Policia thekson se “Vjedhja me armë, e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë”, me pasoje plagosjen e rendë të çiftit Petrit dhe Afërdita Laze dhe “Armëmbajtja pa leje”, parashikojnë dënimin deri në 15 vite burgim.





