13 shtator 2013-Islamofobi i njohur, pastori i Floridës Terri Xhons (Terry Jones), kishte planifikuar të digjte nga një kopje të librit të shenjtë të islamikëve, Kuranit, për çdo viktimë të 11 shtatorit. Ai u arrestua në kohën që po drejtonte një kamionçinë me rimorkio të mbushur me kuranë të lagur me benzinë drejt një parku. Pastori tha se ai kishte planifikuar të digjte 2.998 kuranë, një për çdo viktimë të 11 shtatorit 2001, të sulmeve terroriste, sipas “Associated Press”. Të mërkurën, Amerika kujtoi 12-vjetorin e sulmeve më të këqija në dekada, në zemër të Nju Jorkut. Pastori Xhons, 61 vjeç dhe ndihmësi i tij pastori Marvin Sap, Jr., 44 vjeç, janë akuzuar të dy për bartje të paligjshme karburanti, një krim. Xhons u akuzua edhe për mbajtje të paligjshme të një arme zjarri, një shkelje. Xhons u bë i njohur në vitin 2010 kur ai planifikoi të digjte publikisht Kuranin në përvjetorin e 11 shtatorit, edhe pse e anuloi planin e tij. Por, kisha e tij dogji një Kuran në vitin 2011, dhe ai promovoi një film anti-islamik në vitin 2012. Të tria incidentet kanë shkaktuar protesta të dhunshme në Lindjen e Mesme. Ushtria amerikane ka njoftuar Xhons se veprimet e tij vendosin në rrezik amerikanët dhe trupat perëndimore në Afganistan dhe në vatrat e tjera të rrezikut.
/panorama/





