Gjergj Cukali, i njohur ndryshe si i forti i rrugës “Myslym Shyri”, është arrestuar nga forcat ‘Shqiponja’ pasditen e djeshme.
Burime zyrtare nga policia bëjnë të ditur se bashkë me Cukalin janë arrestuar edhe 15 veta të tjerë,. Të arrestuarit janë pjesë e një grupi kriminal, që merrej me shpërndarjen e drogës në Tiranë.
Në pranga mbrëmë, në kuadër të këtij procedimi penal janë vënë 7 shtetas:
1. Gjergji Cukali, 37 vjeç, nga Tirana, i dënuar më parë për “Pengmarrje dhe armëmbajtje pa leje”;
2. Artur Tarja, 36 vjeç, nga Tirana, i dënuar më parë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor;
3. Muharrem Kallushi,32 vjeç ,nga Tirana
4. Vjollca Gjoka, 46 vjeçe, nga Tirana;
5. Gentian Balliu, 30 vjeç, lindur në Kurbin e banues në Tiranë;
6. Armand Gjoka, 50 vjeç, nga Tirana;
7. Krisald Kundraxhi, 29 vjeç, nga Tirana, i dënuar më parë për veprën penale të prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike
Në kohë të ndryshme më herët, në kuadër të këtij procedimi janë arrestuar edhe 9 shtetas:
1. J. K., 26 vjeç, nga Tirana;
2. A. M., 37 vjeç, nga Prishtina;
3. J. B., 33 vjeçe, nga Prishtina;
4. H. T., 45 vjeç, nga Kavaja;
5. A. T., 27 vjeç, nga Kavaja;
6. J. H., 26 vjeç, nga Durrësi;
7. A. S., 26 vjeç, nga Korça;
8. G. Ç., 25 vjeç, nga Korça;
9. M. J., 33 vjeç, nga Tirana.
Ata u arrestuan në një lokal në zonën e “Ali Demit” për llogari të Drejtorisë së Antidrogës në Policinë e Shtetit, pasi kanë qenë në hetim prej një kohe të gjatë. Gjatë gjithë mbrëmjes janë mbajtur të shoqëruar në drejtorinë e Policisë së Tiranës dhe janë bërë kontrollet në banesat e tyre.
Sot Prokuroria ka vendosur urdhër arrest për Çukalin dhe për dy shokët e tij, me të cilët është arrestuar ditën e djeshme.
Kush është famëkeqi Gjergj Cukali
Gjergj Cukali ka qenë një prej personazheve të njohura të botës kriminale të kryeqytetit, pasi bashkë me miqtë e tij, Florian Metalla, Ledio Lito, Ilir Kodumi, Eduart Skuka dhe Durim Gurzi, morën peng Fatjon Demirlikën dhe kërkuan 100 mijë euro për lirimin e tij. Por plani i tyre dështoi, pasi u arrestuan në kohë nga Policia e Tiranës.
Në korrik të vitit 2004, në rrugën “Myslym Shyri” në Tiranë, pranë një karburanti, merret peng Fatjon Demirlika. Rrëmbyesit i kërkuan familjes së Demirlikës një shumë prej 100 mijë eurosh në këmbim të lirimit të të afërmit të tyre. Vendi i dorëzimit të parave ishte lënë në varrezat e Tufinës. Familjarët e Demirlikës njoftuan policinë, e cila vendosi të dërgojë një agjent të sajin për të dorëzuar gjobën e vendosur nga pengmarrësit.
Në momentin e dorëzimit të shumës prej 100 mijë eurosh, policia arrestoi Ledio Litën, i cili më pas tregoi vendin ku mbahej pengu Demirlika. Pak orë më vonë, falë një tjetër operacioni policor, u bë lirimi i pengut, si dhe u arrestuan Gjergj Cukali, Florian Metalla, Ilir Kodumi e Eduard Skuka. Në përpjekje për të shpëtuar nga duart e policisë, banda e pengmarrësve vrau Endri Shimën, mik i ngushtë me pengun Fatjon Demirlika. Nga hetimet rezultoi se autori i vrasjes së Shimës ishte Durim Gurzi. Ky i fundit mundi t’u shpëtojë prangave, për t’u kapur tre vjet më vonë.
Në fund të gushtit 2012, Gjergj Cukali është kapur pranë lulishtes “1 Maji”, përballë ish-ekspozitës “Shqipëria Sot”, me një pistoletë tip “Glock” me 17 fishekë, që e mbante në një çantë të vogël. Rreth orës 16:00 të 5 majit 2012, Shpend Kadiu, 43 vjeç, punonjës sigurie në një kompani private, ka bërë kallëzim se në rrugën “Mihal Grameno”, pranë Shkollës së Baletit, është dhunuar fizikisht dhe është kërcënuar me armë për jetën nga dy persona të panjohur, për një vend parkimi të parapaguar. Njëri preja autorëve ishte pikërisht Gjergj Cukali.





