Papunësia në Shqipëri vijon dita-ditës të thellohet akoma edhe më tepër, ndërsa vendet e punës nuk blihen as me flori. Për të gjetur një vend pune punëkërkuesi duhet të paguajë një shumë të majme për ta siguruar atë vend. Megjithatë jo në të gjitha rastet marrëveshja mbyllet me sukses, pasi janë të shumtë rastet kur persona të ndryshëm bien pre e mashtrimit dhe jo vetëm që nuk marrin dot vendin e punës, por kësisoj humbasin dhe paratë e tyre.
Një ngjarje e tillë është rregjistruar në qytetin e Durrësit, ku një ndihmës mjek i ka premtuar një prindi se do t'i siguronte punë djalit të tij, kundrejt shumës prej 2 mijë eurosh. Sipas policisë, Sokol Uka, 40 vjeç, banues në Durrës, i punësuar si ndihmësmjek në Qendrën Shëndetësore të lagjes Nr.17 Durrës i ka kërkuar në këmbim të vendit të punës shtetasit I.D. para të thata. Edhe pse i kishte marrë paradhënie të gjitha paratë që kishte kërkuar për të siguruar vendin e punës, ndihmës mjeku e ka prishur marrëveshjen.
Përveçse nuk i ka siguruar vendin e punës djalit të personit që e pagoi 2 mijë euro, 40-vjeçari nuk i ka kthyerëpas as rryshfetin që kishte marrë. I gjendur në këto kushte shtetasi me iniciale I.D., i është drejtuar policisë lokale për të denoncuar rastin në fjalë. Policia nga ana e saj ka nisur menjëherë veprimet e nevojshme proceduriale, ndërsa ka ndaluar ndihmësmjekun të cilin e akuzon për veprën penale ”ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Rasti në fjalë është dënuar nga drejtues të spitalit Rajonal të Durrësit të cilët janë shprehur se kolegu i tyre ka kryer një gabim shumë të rëndë dhe për këtë duhet të japë llogari dhe duhet të përgjigjet përpara drejtësisë. Drejtori i këtij institucioni Taulant Baku, është shprehur se do të merren të gjitha masat që raste të tilla mos të prekin me bluzat e bardha.
“Ky është një rast i paprecedent, por personi në fjalë do të ndëshkohet dhe do të marrë dënimin që i takon për veprën e rëndë që ka kryer. Bluzet e bardha duhet të jenë shembull për të gjithë e jo të përfshihen ne marifete të tilla. Unë i siguroj të gjithë se vendin e punës do ta marrë ai që i takon dhe jo me miq e me para sikundër dhe rasti në fjalë. Detyra e mjekut është me shumë përgjegjësi dhe në këtë fushë duhet të jesh profesionist, pasi ke të bësh me jetë njerëzish. Prandaj kush mendon se do të veshë bluzën e bardhë pa e merituar gabohet rëndë u shpreh për gazetën “Dyrrah” kreu i spitalit të Durrësit Taulant Baku.
Ndërkaq ditën e sotme ndihmësmjeku Sokol Uka do të dalë përpara togave të zeza për të mësuar masën e sigurisë që trupi gjykues do të japë ndaj tij. 40-vjeçari akuzohet për “ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.