*Haxhi Giu, 29 mijë euro për të ndryshuar akuzën e një të riu nga Shkodra
2dhjetor 2015 – Arrestohet për korrupsion prokurori i çështjes së Azem Hajdarit. Haxhi Giu, aktualisht prokuror në Krujë, u prangos pas hetimeve dy mujore për përfitim 29 mijë euro.
Policia e Tiranës ka bërë arrestimin e krutanit Giu. Sipas burimeve nga Policia, Giu akuzohet për “shpërdorim detyre” dhe “korrupsion pasiv”. Gjatë arrestimit, në cilësinë e provës materiale iu sekuestruan 29 mijë euro. Policia sqaron se prokurori Giu tentoi të zbuste masën e dënimit për një të akuzuar për trafik, duke ndryshuar veprën penale nga “trafik” në “moskallëzim krimi”.
Gjatë të njëjtit operacion, policia ka arrestuar në Shkodër Aleks Shporin, i cili akuzohet për korrupsion aktiv. Ky shtetas dyshohet se i pagoi 29 mijë euro Prokurorit për të ndryshuar akuzën për vëllain e tij, i cili ndodhej në burgun e Krujës, të cilat janë sekuestruar si provë materiale.
Njoftimi i plotë
Zyrtarisht policia bën të ditur se më datën 02.12.2015, nga specialistët e Seksioni për Korrupsionin pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë në bashkëpunim me Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë pas një hetimi dy mujor, në kuadër të Operacionit policor “REFORMA”u bë i mundur ekzekutimi i masave të sigurimit personal “arrest në burg” për shtetasit e poshtë shënuar:
1- Haxhi Giu, 55 vjeç, me detyrë Prokuror pranë Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së ndaj te cilit Gjykata për Krimet e Rënda Tiranë.
Më datë 02.12.2015 ka vendosur masën e sigurimit personal “arrest në burg” pasi dyshohet se ka konsumuar veprën penale veprën penale “Korrupsion pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë” të parashikuara nga neni 319/ç dhe 319 i Kodit Penal.
2- Aleks Shpori, 29 vjeç, ndaj të cilit Gjykata për Krimet e Rënda Tiranë me vendim datë 02.12.2015 ka vendosur masën e sigurimit personal “Arrest në burg” pasi dyshohet se ka konsumuar veprën penale veprën penale “Korrupsion aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë” të parashikuar nga neni 319 të Kodit Penal.
Nga hetimet e kryera në kuadër të procedimit penal viti 2015 të Prokurorisë për Krimet e Rënda Tiranë ka rezultuar se shtetasi Aleks Shpori ka pasur vëllain e tij Gj. Sh nën hetim me masën e sigurimit personal “arrest në burg” pasi ai në bashkëpunim me shtetasit I.R, A. B, B. Xh.P, A. B janë arrestuar në flagrancë më datën 29.08.2014 për kryerjen e veprës penale “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike” të parashikuar nga neni 283/2 të K.Penal nga ana e shërbimeve të policisë gjyqësore të komisariatit të Policisë Krujë.
Gjatë fazës së gjykimit shtetasi Aleks Shpori është takuar disa herë me prokurorin e kësaj çështjeje shtetasin Haxhi Giu të cilit i ka afruar shumën 29.000 euro në këmbim të ndryshimit të masës së sigurimit personal “arrest në burg” për vëllai e tij Gj.Sh.
Nisur nga fakti që nuk është bërë e mundur ndryshimi i masës së sigurimit personal “arrest në burg” për shtetasin Gj. Sh, nga ana e prokurorit të çështjes Haxhi Giu është kthyer mbrapsht shuma prej 29.000 euro tek vëllai i tij Aleks Shpori.
Nga ana jonë janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale shuma 29.000 euro, DVD me pamje filmike të marra nga ambiente të ndryshme (lokale, exchange) ku janë zhvilluar takimet dhe shkëmbimi i parave ndërmjet shtetasve Haxhi Giu dhe Aleks Shpori.
Aktualisht Paulin Shpori është dënuar me 8 vjet burg për trafik droge.
/portali DurrësLajm/