Policia e Durrësit ka arrestuar përgjegjësin e varrezave në Durrës, shtetasin Agron Sadikllari, 60 vjeç, i cili u shfaq mbrëmë në emisionin “Fiks Fare” dhe shiste vendin e varrit kundrejt një shume parash.
Policia njofton: Strukturat hetimore të DVP Durrës arrestuan shtetasin A. S., 60 vjeç, banues në lagjen nr. 13, Durrës, me detyrë teknik i zbatimit të punimeve të varrezave në NSHK, bashkia Durrës, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Ky shtetas është shfaqur në një video të transmetuar mbrëmjen e djeshme, gjatë emisionit investigativ “Fiks Fare”, duke biseduar me një shtetase tjetër (e infiltruar nga stafi i këtij emisioni), për sigurimin e një vendi varrimi, në varrezat e vjetra të qytetit të Durrësit, kundrejt një shume parash.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe vijon puna hetimore për dokumentimin e plotë të këtij rasti.
Policia e Durrësit falënderon mediat që denoncojnë rastet e paligjshmërisë dhe i fton që të bashkëpunojnë me strukturat e Policisë, për vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të rasteve të paligjshmërive që ata ndeshin gjatë punës së tyre.
RASTI I PUBLIKUAR NË EMISION
Gazetarja u paraqit te roja e varrezave të vjetra në Durrës dhe kërkoi një vend për gjyshen të cilën e kishte sëmurë ,por në jetë. Ajo u interesua nesë mund të ruante apo blinte një vend në këto varreza dhe roja i siguroi një takim me shefin e tij. Edhe pse vende në këto varreza nuk kishte, me lekë këto vende gjendeshin. Si? Duke bërë zhvarrime.
Përgjegjësi i varrezave Durrës i cili në videot e transmetuara nga Fiks Fare prezantohet me emrin Agron , thotë se ka varre pasi janë bërë edhe zhvarrime. Pyetjes se kush i ka bërë këto zhvarrime ai i përgjigjet se njerezit kanë lëvizur në vende të ndryshme dhe kanë kërkuar që t’i marrin me vete edhe personat e humbur të familjes. Duke rënë dakord parimisht me gazetaren e Fiksit përgjegjësi i tregon vendin se ku mund të ruhet varri dhe sesi do procedohet. Ai i tregon se fillimisht pastrohet vendi e më pas punonjësit bëjnë kornizë betoni dhe një pllakë me një emër që e interesuara, në rastin konkret gazetarja e Fiksit , ta mbante mend. Edhe pse u pyet disa herë nga gazetarja e Fiksit se sa lekë duheshin për ta blerë këtë vend , përgjegjësi nuk dha një shifër . Ai kërkoi 250 mijë lekë të vjetra për punonjësit që do merreshin me pastrimin dhe punimet mbi kornizën e betonit, pagesën tjetër për të ia la në dorë të interesuarës se sa t’i lindte asaj në zemër.
Pasi i tregon vendin përgjegjësi dhe gazetarja e Fiksit shkëmbejnë numrat e telefonit që të bien dakord për gjithçka. Në takimin e dytë që ndodh midis tyre, gazetarja i jep 350 mijë lekë më motivin se aq kishte tërhequr nga banka dhe me mbarimin e varrit do t’i jepte sërish të tjera. Përgjegjësi pasi gazetarja ia numëron në sy i merr i fut në xhep dhe fillon shpjegon se si proces i duhet dy ditë kohë që ta bëjë gati vendin e varrit. Një ditë pasi pastrohet varri nga ku është berë një zhvarrim, nga mbetjet e betonit dhe gjithçka tjetër. Dhe dita e dytë për të bërë gati kornizën e betonit bashkë me pllakën me emër. Pyetjes së gazetares së Fiksit se çfarë emri të verë përgjegjësi shprehet ‘ Emrin e stërgjyshit apo gjyshit, pastaj ta çoj me foto dhe e mban që të mos e harrosh se ku e ke”. Këto të dhëna i kërkon që gazetarja t’ja nisi me sms ne WhatsApp dhe ashtu bëhet.
Dy ditë pasi u bë pagesa, në telefonin e gazetares së Fiksit erdhën edhe fotot e varrit të hapur dhe të pllakës me të dhënat që ajo kishte nisur me mesazh. Sipas përgjegjësit, nga ai vend ishte zhvarrosur një person, dhe pllaka që vendosi me të dhënat ishte fiktive, për të mbajtur vendin derisa familjari i personit që pagoi të vdiste.





