Plarent Dervishaj është arrestuar në Dubai për llogari të Shqipërisë raporton BalkanWeb.
Dervishaj u shpall më datë 8 dhjetor në kërkim ndërkombëtar bashkë me Lul Berishën pasi nuk u kapën dot gjatë operacionit “Asgjë nuk harrohet” nga Policia.
Pas 3 ditësh Plarent Dervishaj është arrestuar tashmë teksa avokati i tij dy ditë më parë për News24 i cilësoi akuzat e SPAK-ut ndaj klientit të tij si paçavure për qëllime politike.
Tashmë në kërkim nga gjithë të arrestuarit mbetet vetëm Lulzim Berisha. Plarent Dervishaj ka qenë i akuzuar si anëtar i bandës së Durrësit teksa më vonë fitoi lirinë. Në 2019-n ai i shpëtoi një atentati teksa po udhëtonte në makinë ku u qëllua me breshëri bashkë me një tjetër.
Dervishaj është i akuzuar nga SPAK në të njëjtën dosje me Emiliano Shullazin, Lulzim Berishën, Luftar Reçin, Viktor Ymerin dhe Indrit Tuallain për dy vrasjet e bujshme të 2005-ës, atë të Klodian Saliut ku mbeti i plagosur edhe një tjetër, dhe atentatin me eksploziv ndaj biznesmenit Vajdin Lamaj ku i vdekur mbeti dhe miku i tij Artan Arsi.





