Policia ka vënë në pranga efektivin që vrau me armë zjarri gjatë orëve të para të ditës së sotme 25-vjeçarin Klodjan Rasha. Arrestimi i efektivit të skuadrës Shqiponja u bë nga SHÇBA, e cila po heton ngjarjen.

25-vjeçari Klodjan Rasha u qëllua nga një polic pak pas mesnate, pasi nuk iu bind urdhrit të këtij të fundit për të ndaluar. Ngjarja ndodhi rreth orës 01:45 në një nga rrugicat në afërsi të Laprakës në Tiranë, teksa i riu po lëvizte në këmbë.

Policia bëri të ditur se gjatë patrullimit ata kanë konstatuar se Rasha kryente veprime të dyshimta, ndaj edhe i kishin bërë thirrje të ndalonte, por personi nuk i është bindur urdhrit dhe është përpjekur të largohet me vrap duke i drejtuar policit një send të fortë në dukje armë zjarri.  

I gjendur në këto kushte dhe në mungesë të ndriçimit të plotë efektivi me iniciale N.H e qëlloi Rashën duke e lënë fillimisht të plagosur, ndërsa më pas humbi jetën në spital.