Një shtetase kanadeze me origjinë kineze, e cila ishte duke kryer një stazh në Shtabin Suprem të Fuqive Aleate në Evropë (SHAPE), është arrestuar në Belgjikë nën dyshimet për spiunazh, kanë bërë të ditur autoritetet belge.
Sipas Zyrës së Prokurorit Federal të Belgjikës, ndaj të dyshuarës është lëshuar urdhër arresti më 24 korrik 2026, pasi dyshohet se ka spiunuar në emër të një shteti të tretë dhe ka marrë pjesë në një organizatë kriminale. Autoritetet nuk kanë bërë publik identitetin e saj dhe as shtetin për të cilin dyshohet se ka vepruar.
Hetimi nisi pas sinjalizimeve të ngritura nga zyrtarët e SHAPE, selisë ushtarake strategjike të NATO-s pranë qytetit Mons. Në kuadër të operacionit, inteligjenca ushtarake belge dhe policia federale kontrolluan banesën dhe vendin e punës së të dyshuarës, përpara arrestimit të saj.
SHAPE është qendra kryesore nga ku planifikohen dhe koordinohen operacionet ushtarake të NATO-s në nivel global, si dhe përgjigjet ndaj kërcënimeve ndërkombëtare.
Zëdhënësi i SHAPE, Martin O’Donnell, deklaroi se deri më tani nuk ka asnjë tregues që rasti të ketë ndikuar në gatishmërinë operacionale të NATO-s, sistemet e komandës dhe kontrollit apo misionet në zhvillim.
“SHAPE vazhdon të kryejë detyrat e saj pa asnjë ndërprerje,” u shpreh ai.
Belgjika, e cila pret gjithashtu selinë politike të NATO-s, institucionet kryesore të Bashkimit Evropian dhe organizata të shumta ndërkombëtare, konsiderohet prej vitesh një objektiv i rëndësishëm për aktivitetet e shërbimeve të huaja të inteligjencës.
Ky zhvillim vjen pas disa incidenteve të tjera të profilit të lartë. Në vitin 2025 u zbulua një sulm kibernetik që autoritetet belge ia atribuuan aktorëve të lidhur me Kinën, ndërsa po atë vit një oficer policie belg u arrestua nën dyshimet për spiunazh në favor të Kinës dhe Rusisë, shkruajnë mediat e huaja.





