Është arrestuar për ngacmim seksual presidenti klubit francez Angers. Sair Chabane, 55 vjeç, tashmë ndodhet në ambientet e paraburgimit, teksa duhet t’u japë shpjegime hetuesve për akuzat.
Siç raportojnë mediat franceze, denoncimi është bërë nga një punonjëse e klubit në datën 7 janar. Pas këtij denoncimi, policia mori në pyetje dhe gra të tjera, ku dy prej të cilave pranuan se ishin ngacmuar seksualisht nga presidenti që nga viti 2011. “RMC”, madje jep dhe detaje, teksa zbulon se ai i prekte gratë pa lejen e tyre në pjesë intime të trupit.
Klubi, nëpërmjet një komunikate zyrtare, shpjegon se presidenti hedh poshtë akuzat kundër tij dhe se tashmë do të merret drejtësia me këtë çështje, pasi ka shumë besim te hetimet.





