Kosovë, 23 prill 2014 – Pasi kërkohej prej një kohe të gjatë, të mërkurën policia ka arritur të prangosë Princ Vali Corleonen (Valdrin Sylejmani). Si raportojnë mediet kosovare, që i referohen komandatit të Policisë në Gjilan, Val Corleone dyshohet për veprën penale “Shkaktim i Rrezikut të përgjithshëm” dhe “Armëmbajtje pa leje”.
Sipas njoftimit të policisë në Gjilan, Corleone dyshohet se ka shtyrë Genc Qamilin nga Pograxha, që më 28 korrik 2013, rreth orës 22:30, në magjistralen Gjilan-Kamenicë (më saktësisht në tualetin e diskotekës “Stop” në Gjilan), të vendosë një mjet shpërthyes të llojit granatë dore, transmeton RajoniPress.
Pas një pune të vazhdueshme, hetuesit nga stacioni policor në Gjilan, më 17 prill 2014 arrijnë të identifikojnë dhe njëherazi të arrestojnë personin e dyshuar për vendosjen e granatës së dorës ndaj të cilit Prokuroria Themelore ne Gjilan kishte lëshuar vendimin mbi ndalim e më vonë – pas procedimit të lëndës Gjykata themelore në Gjilan – masën e paraburgimit për të dyshuarin Genc Qamili (nga Pograxha, i moshës 22 vjeçare).
Po ashtu, hetuesit arrijnë deri te informatat për personin e dytë të dyshuar si të përfshirë në këtë rast. Sot u arrestua Princ Vali Corleone (31) nga Gjilani, i cili me vendim të Prokurorisë themelore në Gjilan ndalohet për 48 orë.
Hetimet nga policia – në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Gjilan – janë në vazhdim e sipër, thuhet në njoftimin e policisë të nënshkruar nga komandanti Remzi Azemi.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





