Policia e Beratit ka arrestuar një punonjës të Inspektoriatit të Mbrotjes së Territorit, pasi akuzohet për korrupsion dhe shpërdorim detyre.

Punonjësi i IMT-së, i identifikuar me inicialet P.K., 36 vjeç është arrestuar nga blutë në flagrancë teksa merrte ryshfet nga një qytetar, për të mos i vënë gjobë.

“Në vijim të hetimeve në bashkëpunim me Prokurorinë e Beratit, shërbimet e Policisë kanë arrestuar në flagrancë duke marrë shuma monetare shtetasin P. K., 36 vjeç, banues në Berat, punonjës në IMT Berat.

Nga hetimet e kryera është arritur të dokumentohen veprimet korruptive të punonjësit P. K., i cili duke keqpërdorur dhe shfrytëzuar atributet që i jep detyra ka ushtruar presion mbi një shtetas duke i shmangur gjobën kundrejt përfitimeve monetare”,-njofton policia.

Materialet i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat.