Itali, 10 shtator 2014 – Policia e qytetit të Latinës, të hënën arriti të riarrestonte pas shumë vështirësive Andi Agalliun, 34 vjeç, i cili kishte thyer masën e arrestit të shtëpisë në Ravena dhe ishte zhdukur pa lënë gjurmë.
Andi ka një histori të gjatë shkelje ligji në Itali. Në vitin 2007, ai u arrestua nga karabinierët për mbajtje armësh të ftohta, mbajtje municionesh luftarake dhe goditje për shkak të detyrës të nëpunësve të shtetit (karabinierëve).
Në vitin 2009, u dënua për favorizim prostitucioni të miturash. Ai u dënua bashkë me 12 persona të tjerë si pjesëtar i një bande italo- shqiptaro-rumune, që merrej me prostitucion, kryesisht vajzash të mitura.
Në maj të vitit 2012, Andi kishte marrë 5 dënime nga gjykata për drejtim automjeti pa patentë, agresion, drejtim automjeti në gjendje të pirë, ngacmime seksuale dhe armëmbajtje pa leje.
Në vitin 2013, u dënua për drogë dhe u la në arrest shtëpie në pritje të dënimit të formës së prerë nga Gjykata e Kasacionit. Tashmë ai po përballet edhe me akuzën e largimit nga vendi i kryerjes së dënimit.
/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





