Itali, 18 mars 2014 – Një 23 vjeçar shqiptar është arrestuar së bashku me të dashurën italiane, pasi prej muajsh shantazhonin një sipërmarrës italian. E dashura e shqiptarit, një 38 vjeçare nga Pescara, kishte krijuar muaj më parë një lidhje dashurie me një sipërmarrës 52 vjeçar nga Alto Sangro (Kieti). Në fillim gruaja i kishte kërkuar të dashurit një automjet dhe më pas i kishte mbushur mendjen t’i paguante qiranë e një apartamenti në Pescara. Pasi i kishte plotësuar dy dëshirat e saj, gruaja ishte ndarë me biznesmenin, por pikërisht në këtë kohë kishin filluar shantazhet ndaj këtij të fundit. Së bashku me 23 vjeçarin shqiptar H.R., person me precedentë të mëparshëm penalë, gruaja i kërkonte sipërmarrësit që të vazhdonte t’i paguante qiranë e apartamentit si dhe t’u jepte çdo muaj 600-700 euro. Në të kundërt, familja e sipërmarrësit do të njihej me marrëdhënien e tij jashtëmartesore.
Duket se kërkesat e fundit nuk janë “gëlltitur” nga sipërmarrësi që ka vendosur t’u tregojë gjithçka karabinierëve. I riu shqiptar dhe e dashura e tij italiane janë prangosur në flagrancë nga forcat e rendit, ndërsa po merrnin në dorëzim nga biznesmeni këstin mujor.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





