Itali, 6 gusht 2014 – Një shqiptar i shpallur në kërkim për trafik armësh është arrestuar nga policia italiane në Fabro, ku po jetonte prej një viti me familjen e tij.
32 vjeçari aktualisht ndodhet në burgun Orvieto dhe është në pritje të ekstradimit në Shqipëri, ku dhe duhet të vuajë dënimin me 12 vjet burg për prodhim të paligjshëm dhe trafik të armëve dhe municioneve mes Italisë e Shqipërisë, shkruan Ansa.
Sipas hetimeve, 32 vjeçar kishte një rol kryesor në dorëzimin e armëve, në portin e Ankonas. Mendohet se janë dhjetra pistoleta dhe mijëra plumba të kalibrave të ndryshëm që ai i dorëzonte tek një bashkëatdhetar i tij.
Shqiptari, emri i të cilit ende nuk është bërë i ditur, është arrestuar para një lokali të shtunën e 2 gusht 2014 por ngjarja është bërë publike sot.
Sipas mediave italiane 32 vjeçari ishte pjesë e një bande e cila në merrej me trafikun ndërkombëtarë të armëve mes Italisë dhe Shqipërisë.
Sipas policisë, shqiptari ishte tërhequr përfundimisht nga ky aktivitet dhe së bashku me familjen e tij kishte vendosur të niste një jetë të re në Fabro të Italisë, ku dhe kishte arritur të merrte lejen e qëndrimit
Aktualisht ndodhet në burgun e Orvietos, në pritje të ekstradimit të tij në Shqipëri ku akuzohet për prodhim, posedim dhe trafik ndërkombëtar të armëve dhe municioneve.
Në momentin e arrestimit 32 vjeçari ka deklaruar se nuk e dinte që ndaj tij ishte lëshuar një urdhër arresti në Shqipëri.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





