ROME – Në prangat e policisë italiane ka përfunduar një 37 vjeçar shqiptar, i cili, për habinë e karabinierëve, ka rezultuar se mbante identitete të ndryshme, për çdo vepër penale të kryer në vendin fqinjë.  

Një patrullë e kuesturës së Luccas, ndërsa ka qenë duke kryer patrullimin e zakonshëm ka parë t’i vinte përballë një Alfa 146 dhe ka vendosur ta kontrollojë. Ndërsa makina e policisë ka bërë mbrapakthehu për t’iu vënë pas, personi në timon të Alfës në vend që të ndalonte ka rritur shpejtësinë. Në ndjekje të saj janë vënë edhe dy makina të tjera të policisë që gjendeshin në zonë e kanë arritur ta ndalojnë.

Nga një kontroll i parë, shoferi i ndaluar u ka treguar forcave të rendit një patentë qipriote në emër të Andreas Manos dhe ka pohuar se ishte rezident në Milano dhe makina ishte e një shokut të tij, të cilit nuk i dinte emrin. Një kontroll i mëtejshëm i targës, nxorri në dritë që ajo ishte në emër të një milanezi që deri në vitin 2011 kishte pasur mbi 200 makina në emër të tij e që i ishin sekuestruar.

Në këtë pikë 37-vjeçari “qipriot” është çuar në kuesturë, ku verifikimet e mëtejshme kanë nxjerrë në dritë që në të vërtetë ishte shqiptari Nikolin Kola, i lindur më 27 dhjetor 1975, i kërkuar nga prokuroria e Barit për trafik ndërkombëtar droge nga viti 2009. I njëjti person kish pasur të bënte edhe me prokurorinë e Firences, që me emrin Bashkim Tuçi e kishte kapur njëherë për një sërë grabitjesh të banesave e më pas e kishte lënë të lirë.

Kuestura e Luccas, pas arrestimit të Nikolin Kolës (alias Bashkim Tuçi apo Andreas Manos) ka kërkuar bashkëpunimin e policisë shqiptare për të kuptuar identitetin e vërtetë të shqiptarit e për të verifikuar nëse ka qenë i implikuar edhe në aktivitetet të tjera kriminale.