Itali, 27 mars 2014 – Karabinierët e qytezës së Vistarinos në provincën e Pavias arritën një sukses jo të vogël gjatë kontrollit të banesës së Agim Zenelit, 41 vjeç. Agimi kishte mbi njëzet vjet, që jetonte në Itali me dokumenta të rregullta, pa precedentë penalë dhe punonte si shofer kamioni. Në banesën e tij u sekuestrua një arsenal armësh e pajisjesh të  pazakonta. Në arsenalin e disponuar nga Zeneli ndodhej një pushkë automatike ultramoderne e markës “ Sig” në përdorim vetëm të trupave elitë të ushtrisë zvicerane. Kjo armë nuk gjendet në shitje të lirë në dyqanet e armëve pra është vështirë të posedohet ligjërisht nga civilët. Pushka kishte edhe dy karikatorë plastikë me 53 fishekë. Në arsenal ishte edhe një pistoletë e markës “Asta 765” e prodhimit spanjoll relativisht e rrallë në Itali, bashkë me 4 fishekë. U gjetën edhe 4 fishekë për armë gjahu kalibër 12mm.

Ndër pajisjet u kapën dy palë dylbi dite dhe një palë dylbi nate. Një lokalizues me GPS, që lokalizon persona apo objekte deri në një distancë maksimale prej 45 km. U kapën edhe pajisje ndërlidhje si 7 telefona celularë, radiomarrëse, pajisje për imitim alarm makine policie etj. Agimi u arrestua menjëherë, ndërsa karabinierët po hetojnë intensivisht për bashkëpunëtorët e tij dhe për qëllimin e mbajtjes e të përdorimit të një arsenali të tillë.

/gje.th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/