Një 31-vjeçar shqiptar është arrestuar nga policia në Itali pasi është përleshur me efektivin e policisë gjatë një tentative për vjedhje.

Autoritetet italiane bëjnë me dije se shqiptari është arrestuar orët e para të mëngjesit të së enjtes, pasi është kapur në flagrancë bashkë me një shtetas italian, në tentativë për të vjedhur një shtëpi në Bagnaia të Periugias në Itali.

Sipas medieve italiane, fqinjët kanë telefonuar policinë pasi kanë parë dy persona të dyshimtë në oborrin e një shtëpie. Efektivët kanë mbërritur në vendin e ngjarjes duke kapur në befasi hajdutët, ku më pas shqiptari ka goditur me shkelma dhe grushta efektivin. Ky i fundit ka qëlluar me pistoletë në ajrë për të trembur agresorin, ku më pas e ka arrestuar. Ndërkohë italiani ka mundur të arratiset.

31-vjeçari shqiptar u dërgua në komisariatin e Perugias, ku rezultoi se kishte precedentë të mëparshëm penalë dhe ishte i paligjshëm në Itali. Ai akuzohet për tentativë vjedhjeje, rezistencë dhe plagosje të një zyrtari të policisë.