ITALI,2 tetor 2013 – Një 40-vjeçar shqiptar është arrestuar sot në Bolonja të Italisë, nën akuzën e trafikimit të lëndëve narkotike. Mediat italiane bëjnë të ditur se R.Lepuri u shiste kokainë prej vitesh “klientëve VIP” në Bolonja, si avokatë, drejtues të ndërmarrjeve të ndryshme, dentistë dhe disa sipërmarrësve të njohur të zonës.
Hetimet disa mujore të policisë italiane zbuluan se 40-vjeçari e ushtronte prej vitesh këtë aktivitet të paligjshëm, i ndihmuar edhe nga bashkëshortja e tij shqiptare dhe vëllai i saj, të cilët po hetohen në gjendje të lirë.
Policia italiane sekuestroi në cilësinë e provës materiale rreth 200 gram kokainë dhe 350 mijë euro, dy apartamente në dhe dy makina pronësi të 40-vjeçarit.
Autoritetet kanë identifikuar rreth 50 klientët kryesorë të shqiptarit, të cilët rezultojnë të jenë konsumatorë të drogës. Ata e porosisnin drogën me telefon dhe Lepuri ua dorëzonte në vendet e punës apo në vende publike në qytet.
Sipas hetuesve të çështjes shqiptari xhironte në Bolonja 1 kg kokainë të pastër në muaj, të cilën e shiste për 150 euro gramin.
Policia kishte vendosur një telekamera në garazhin e shqiptarit, i cili ishte filmuar teksa përgatiste dozat e kokainës. Ndërkohë përgjimet telefonike zbuluan klientët e 40-vjeçarit si dhe përfshirjen e kunatit të tij në shitjen e drogës, i cili rezulton të ketë zëvendësuar Lepurin gjatë kohës që ai pushonte me bashkëshorten në Meksikë.
http://www.balkanweb.com/kronike/2778/itali-arrestohet-40-vje-ari-shqiptar-u-shiste-kokain–klient-ve-vip-151833.html





