Një tjetër rast i trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike është goditur nga blutë e Durrësit. Një i ri është kapur në flagrancë në portin e Durrësit, teksa ka tentuar të transportojë rreth 111 kg kanabis, të fshehura në mjetin që ai drejtonte (shih videon më poshtë).
Rasti është shënuar mbrëmjen e djeshme dhe policia informon se në pranga ra Artur Gjergji, 27 vjeç, banues në Durrës.
“Më datë 29.08.2016, rreth orës 20:00, në PKK Port, Shërbimet e Policisë Kufitare në bashkëpunim me Sektorin kundër Narkotikëve, pas kontrollit në Skaner të automjetit tip “Renault”, me targë AA241ND, ku u dallua një send i dyshimtë, e kanë kaluar këtë automjet për kontroll të imtësishëm në vijën e dytë.
Nga kontrolli i imtësishëm i kryer në vijën e dytë në krye të karrocerisë në brendësi të saj u gjetën të fshehura 66 pako të mbështjella me natriban, gjithsej 111 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar kanabis sativa”, bën të ditur policia.
Lënda narkotike dhe automjeti u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, ndërsa po vijon puna për zbardhjen e plotë të këtij trafiku.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Krimeve të Rënda për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.





