Arrestohet 7 ditë pas vrasjes së Hekuran Billës, i akuzuari kryesor për këtë ngjarje, Viktor Marku. Marku është arrestuar në Tuz të Malit të Zi. Ai ishte shpallur në kërkim për vrasjen e Billës në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë, më 12 qershor 2020. Viktori është vëllai i Prel Markut, 22-vjeçarit që u vra në vitin 2006 nga Billa në Londër.
Policia shqiptare duket se ka ndjekur hap pas hapi të gjitha lëvizjet e Viktor Markut dhe më pas ka njoftuar autoritetet malazeze që kanë bërë arrestimin e tij. Autoritetet malazeze kanë kontaktuar me ato shqiptare dhe pritet sjellja e tij në Shqipëri nesër përmes pikës kufitare të Hanit të Hotit.
Kapja e Viktor Markut vjen pas prangosjes së nipit të tij, Sebastian Malit dhe të vëllait, i cili u shoqërua që natën që ndodhi atentati. Vetë Mali, tha para hetuesve se nuk kishte lidhje me ngjarjen dhe se ndodhej tek qendra Kristal, sepse gjithnjë kalonte për blerje atje.





