Policia e Tiranës në bashkëpunim me forcat RENEA kanë arritur të arrestojnë Elson Dacin, autorin e vrasjes së Valmir Kolaverit dhe plagosjes së vëllait të viktimës Robert Kolaverit, ngjarje kjo e ndodhur në Bathore më 04.11.2015.
Operacioni për arrestimin e Elson (Gazmir) Dacit, 27 vjeç, lindur në Kukës e banues në Bathore, u zhvillua mbrëmjen e djeshme rreth orës 23:30. Daci ishte fshehur në një hotel në autostradën Tiranë-Durrës, ku dhe u arrestua në flagrancë.
Policia thotë që autorit të dyshuar iu gjet dhe arma e kryerjes së krimit, pistoletë TT me 9 fishekë.
Vrasja
Ngjarja ndodhi në datën 4 nëntor të këtij viti pas një sherri banal. Elson Daci ishte në lokal bashkë me dy vëllezërit, kur ka nisur të grindet me ta. Ai u largua nga lokali, për t’u rikthyer me një pistoletë në dorë, me të cilën qëlloi ndaj dy vëllezërve. Valmiri nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra dhe vdiq në spital.





