Sido që të shkojë, Shqipëria meriton vetëm vlerësime në përfaqësimin në Kampionatin Europian. Për paraqitjet në fushë, sakrificën e lojtarëve për fanellën dhe për faktin që dhanë gjithçka në evenimentin më të rëndësishëm kontinental. Më i fundit që përshëndeti kuqezinjtë është legjenda e trajningut në Itali, Arrigo Saçhi. Nëpërmjet një mesazhi në adresë të kryeministrit, Edi Rama, ish-trajneri i Milanit, Atletico Madrid dhe përfaqësueses, kishte vetëm lavdërime për kuqezinjtë.
“Jam plotësisht dakord me çfarë ke shkruar në letrën tënde për paraqitjet e bukura të djemve të De Biazit. Një grup i vërtetë, sakrifikues dhe i vendosur, që ka luajtur edhe një futboll të mirë”, shkruhej në mesazhin drejtuar kreut të qeverisë shqiptare.
Sacchi, i cilësuar si një prej teknikëve më të mirë në historinë e futbollit botëror, theksonte se ” kur njerëzit japin gjithçka, siç ata kanë bërë duke nderuar profesionin dhe atdheun e tyre, meritojnë vetëm lavdërime”.
Në përgjigjen e tij, kryeministri Rama shkruante se sipas mësimeve të trajnerit dhe analistit Saçhi “fati është gjithmonë me skuadrën më të fortë” dhe “në rastin e Shqipërisë ka ndodhur pikërisht kjo”. Zoti Rama tha se “Shqipëria e ka fituar Europianin e saj”, pas vlerësimeve nga mediat franceze për tifozët kuqezi dhe sipas tij, Kombëtarja dhe mbështetësit kuqezi kanë bërë më shumë se kushdo për imazhin e vendit, duke dhënë një leksion qytetarie.





