Kryeministri Edi Rama dhe kreu i opozitës, Lulzim Basha, kanë arritur më në fund të gjejnë ‘gjuhën e përbashkët’ duke zgjedhur që të dy paketën “McAllister” për zgjedhjet, duke sjellë kështu zgjidhjen e krizës politike në vend.

Pas një takimi të gjatë ‘kokë më kokë’ me njëri-tjetrin që prej orës 22:00 të mbrëmjes së djeshme për rreth 3 orë, dy liderët kryesorë të qeverisë dhe opozitës, kanë mundur të nxjerrin ‘tymin e bardhë’ nga ‘oxhaku’ i Kryesisë së Kuvendit.

Sapo kanë dalë nga takimi rreth orës 01:16,  Kreu i PD-së, Lulzim Basha është shprehur për gazetarët se ka një marrëveshje me Ramën e cila do të detajohet dhe do të bëhet publike në orët e ardhshme.

“Kemi një marrëveshje bazuar në paketën ‘McAllister+’ dhe me ndërmjetësinë e zyrtarëve amerikanëve”, deklaroi Basha.

Ndërsa kryeministri Edi Rama ishte edhe më i prerë në komunikimin e tij, duke thënë:

“Jam dakord 100% me kreun e opozitës”. 

Asnjë nga të dy nuk dha detaje mbi datën e zgjedhjeve, ndërsa midis tyre pati edhe një shtrëngim duarsh në publik, veprim që u shoqërua me brohoritje e duartrokitje.