13 korrik 2015 – Arrihet marrëveshja me Greqinë. Pas bisedimeve maratonë prej shumë orësh, duke nisur që nga pasditja e djeshme dhe përfunduar mëngjesin e sotëm, liderët e Eurozonës kanë arritur në një marrëveshje me shtetin helen.

Ora 09:45 – Pas arritjes së marrëveshjes me Greqinë, kancelarja gjermane Angela Merkel doli në një konferencë për shtyp, ku deklaroi se 86 miliardë euro do të jetë ndihma financiare në këmbim të reformës së plotë të pensioneve dhe disa ndryshimeve të tjera thelbësore.
Tashmë nuk është nevoja për një Plan B, duke u përjashtuar mundësia për një "Grexit".

“25 miliardë euro do të përdoren për rikapitalizimin e bankave, të cilat më pas do të privatizohen nën vëzhgimin e vendeve europiane. Duhet të mbështesim programin, pasi në të shkuarën kemi parë që ka pasur vështirësi në implementimin e programeve”, sqaroi Merkel.

Në lidhje me pyetjen nëse Parlamenti grek do e miratojë këtë marrëveshje, Merkel tha: “Situata në Greqi është e tensionuar, por është në interesin e Greqisë të zbatojë marrëveshjen. Mendoj se besimi mund të rifitohet”.

Ora 09:30 – Marrëveshja u arrit pas një lufte të gjatë. Ishin këto fjalët e para të kryeministrit grek Alexis Tsipras, pas arritjes së marrëveshjes. Në një deklaratë për mediat, Tsipras theksoi ndër të tjera se Greqia do të vazhdojë luftën për t’u rikthyer te rritja ekonomike.

“Morëm përsipër përgjegjësinë për vendimin e shmangies së planeve ekstreme nga rrethet konservative europiane. Arritëm të ristrukturonim borxhin dhe të siguronim një financim afatmesëm. Greqia do të vazhdojë luftën për ringritje”, shtoi kryeministri grek.

Ora 09:15 – “Eurosamiti ka arritur unanimisht një marrëveshje. Të gjithë gati për programin e ESM-së (Mekanizmi i Emergjencës së Stabilitetit) për Greqinë, me reforma serioze dhe mbështetje financiare”, njoftoi sot Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk në ‘Twitter’.  

Më vonë pritet të mbahet një konferencë për shtyp për të dhënë edhe detajet e marrëveshjes.

Të parët ishin kryeministrat e Maltës dhe Belgjikës, të cilët konfirmuan në ‘Twitter’ se liderët e Bashkimit Europian kanë njoftuar lajmin e rëndësishëm. 

/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/