Arrihet marrëveshja! Sunny Hill Festival do të mbahet dhe në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë dhe në atë shqiptar, në Tiranë. Kjo është bërë e ditur nga një deklaratë e përbashkët e Ministrisë së Kulturës dhe Sunny Hill Festival.
Në deklaratë thuhet se Sunny Hill Festival do të mbahet në Prishtinë në datat 4-7 gusht, data këto që u parashikuan më herët që festivali të mbahej në Tiranë.
Por duket se me vendimin e fundit, këto data janë zhvendosur nga fundi i muajit Gusht, përkatësisht në 26, 27 dhe 28 gusht.
Sjellim në vëmendje se për këtë Festival u bë një zhurmë e madhe pasi disa ditë më parë u tha se Sunny Hill Festival u zhvendos nga Prishtina në Tiranë, për shkak se qeveria e Albin Kurtit në Kosovë nuk dha leje për zhvillimin e aktivitetit, si pasojë e një përplasje me komunën e Prishtinës. Thuhej se vonesat e shumta të shkaktuara nga mungesa e përgjigjes dhe vendimit përfundimtar për dhënien në shfrytëzim të hapësirës e detyruan Dua Lipan që eventin ta mbajë në Tiranë.
Duket se mosmarrëveshjet janë zgjidhur dhe tanimë Prishtina dhe Tirana do të shijojnë festivalin që do të sjellë Duan Lipën, Diplo, Skepta, DJ Regard, AJ Tracey, Mahmood dhe artistët më të njohur shqiptarë. Po ashtu për këtë edicion pritet të zbulohen edhe dy artistë shumë të mëdhenj botëror.
Një verë e jashtëzakonshme i pret të gjithë shqiptarët në Prishtinë dhe në Tiranë.
Deklaratë e përbashkët e Ministrisë së Kulturës (në emër të Qeverisë së Kosovës), Komunës së Prishtinës dhe Sunny Hill Festival:
Sunny Hill Festival mbahet në shtëpinë e vet, në Prishtinë, më 4, 5, 6 dhe 7 Gusht 2022.
Qeveria e Kosovës, Komuna e Prishtinës dhe Sunny Hill Festival bashkojnë forcat për një edicion të mrekullueshëm të festivalit sivjet, aty ku e ka vendin, në Prishtinë.
Institucionet qendrore dhe lokale bashkërisht, sipas mandatit që kanë do të ofrojnë mbështetje të plotë për edicionin e sivjetmë, i cili do të mbahet në një lokacion të përshtatshëm.
Të gjithë shprehin gatishmërinë që çështja e shfrytëzimit afatgjatë të tokës të diskutohet edhe pak kohë deri në gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme.
Synimi i përbashkët është që nga viti i ardhshëm, festivali Sunny Hill të organizohet në lokacionin e vet afatgjatë.
Në frymën e bashkëpunimit të shkëlqyeshëm kulturor mes Kosovës dhe Shqipërisë, një edicion i veçantë me një line-up tjetër do të mbahet në fund të muajit gusht në Tiranë më 26, 27 dhe 28 gusht.
Në Prishtinë, Sunny Hill Festival për këtë vit ka përgatitur lineup-in më të fuqishëm nga festivalet e rajonit ku përveç artistëve të njohur si Diplo, Skepta, DJ Regard, AJ Tracey, Mahmood dhe artistët më të njohur shqiptarë, për këtë edicion pritet të zbulohen edhe dy artistë shumë të mëdhenj botëror.
Një verë e jashtëzakonshme i pret të gjithë shqiptarët në Prishtinë dhe në Tiranë.
Ministria e Kulturës, Komuna e Prishtinës dhe Sunny Hill Festival./