Tiranë, 4 korrik 2014 – Nga dita e nesërme invalidët do të vijojnë të udhëtojnë falas me linjat e transportit qytetas. Marrëveshja është arritur sot nga ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj gjatë një takimi me përfaqësuesit e shoqatës kombëtare të transportit qytetas, për t’i dhënë zgjidhje situatës së krijuar ditët e fundit.
Në takim është rënë dakord që shoqata e transportit qytetas të respektojë ligjin për udhëtimin falas të invalidëve duke filluar nga dita e nesërme, datë 5 korrik 2014.
Gjatë takimit u ra dakord gjithashtu, se Ministria në bashkëpunim me shoqatën e invalidëve do të ndërmarrin një plan masash për të disiplinuar skemën e pajisjes me librezat e invaliditetit, për t’u siguruar që vetëm invalidët të cilëve u takon kjo e drejtë me ligj të përfitojnë udhëtimin falas.
Palët ranë dakord për të mbajtur një komunikim të ngushtë dhe gjetur zgjidhje konstruktive për problemet me të cilat përballet transporti qytetas në Tiranë.
Shoqëritë e transportit qytetas, prej datës 1 korrik nuk e kanë njohur statusin e invaliditetit, duke i kërkuar çdo personi që posedonte një librezë të tillë të paguante biletën e udhëtimit.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





