Gianni De Biasi arrin në finalen e sondazhit të Sport Mediaset, për “Arritjen Sportive” të vitit 2015. Trajneri që realizoi mrekullinë me Shqipërinë, duke u kualifikuar në finalet e Kampionatit Europian Francë 2016, fitoi në fazën e parë të votimit, ku si kundërshtar kishte çiklistin Fabio Aru. Një rezultat i hapur deri në fund. Këtë e tregojnë të dhënat e votimit nga publiku, ku tekniku kuqezi mori 53 për qind të votave, ndërsa çiklisti fitues i Vueltas së Spanjës, 47 për qind.

De Biasi bëhet finalisti i dytë i sondazhit “Arritja Sportive e Vitit” Tania Cagnotto, fitueses së disa medaljeve të arta europiane dhe botërore për kërcimet nga trampolina, që mposhti në duelin direkt Juventusin, katër herë radhazi kampion të Italisë. Faza e parë e sondazhit të Sport Mediaset vazhdon edhe me votimin e tri sfidave të tjera direkte, ku në garë janë edhe basketbollisti Gallinari, kampioni i garave me motorë, Valentino Rossi apo tenistja Flavia Pennetta, që pasi triumfoi në US Open 2015 u tërhoq nga aktiviteti. Sapo të kompletohet numri i pesë finalistëve, nga data 27 deri më 30 Dhjetor publiku do të votojë për të përzgjedhur atë që vlerësoohet se ka qenë arritja më e madhe sportive për vitin 2015.