Pandemia që ka përfshirë globin dy vitet e fundit, bëri që shumë njerëzve t’i mbylleshin dyert e socializimit dhe zhvillimit të aktiviteteve normale të përditshme. 

Duke iu përshtatur ndryshimit të beftë dhe duke refuzuar t’i dorëzohej kësaj krize në çdo aspekt, Ornela Rrustaj, studente e vitit të tretë në Fakultetin e Teknologjise dhe Informacionit në UAMD, zgjodhi të krijojë një klub në një mënyrë krejt origjinale. 

Nisma për një klub IT-je erdhi nga Ornela një vit më parë, e cila së bashku me një pjesë të administratës së universitetit dhe studentëve, hartuan statutit e klubit.

Ornela krenare tregon rrugëtimin e saj. 

“Kjo iniciativë ka lindur nga nevoja dhe nevoja në Shqipëri ka shumë. Mendova se nuk kishte rrugëdalje, por i dhashë vetes një mundësi. 

Aplikova në ‘Google’, gjeta mbështetje nga universiteti i Durrësit dhe profesor Xhaferi, që më ndihmuan shumë në këtë pjesë dhe tashmë jam këtu ku jam dhe do arrijmë edhe shumë më lart me mbështetjen e të gjithëve dhe përfshirjen e shumë më shumë njerëzve”, thotë Ornela ndër të tjera. 

Sot, një vit më pas, Ornela e ka anëtarësuar klubin në Google Developers Student Clubs – GDSC, i pari klub në Shqipëri që mbështetet nga gjigandi i teknologjisë, Google.

“U krijua në kohën e pandemisë për t’i dhënë mundësi studentëve të lidhen me një ‘network’ më të gjerë, që na ofron vetë platforma e ‘Google’. 

Unë si ‘Google Lead’ kam akses në një ‘network’ global që do e përdor në të mirën e studentëve shqiptar”, thekson studentja e vitit të tretë.

Ornela ka “tërhequr” pas vetes edhe motrën e saj. 

Elsa Rrustaj, vetëm 18 vjeçe, është bërë pjesë e kësaj nisme, që synon të bëjë bashkë studentët shqiptarë që programojnë anekënd globit.

Ajo ka një apel drejtuar të gjithë bashkëmoshatarve të saj. 

“Të gjithë energjinë energjinë që ne kemi përbrenda si të rinj, mendoj se mënyra më e mirë është që ta shfrytëzojmë për klubin tonë dhe të angazhohemi sa më shumë, që jo vetëm ne të kemi përfitimet tona, por të kenë përfitime edhe të tjerët.” 

Padyshim, Ornela dhe i gjithë grupi, kanë pasur dhe vijojnë të kenë besimin dhe mbështetjen e universitetit në synimet e tyre.

Xhafer Rakipllari, drejtori i Administrimit dhe Shërbimeve Akademike në Universitet tha për “DurrësLajm”, se një nga qëllimet e Qendrës së Karrierës në këtë universitet, është të ndihmojë studentët që të zhvillojnë talentin e tyre. 

“Ne në ‘Qendrën e Karrierës’ në universitetin e Durrësit, kemi filluar të punojmë shumë për trazicionin sa më të butë të studentëve drejt tregut të punës. 

Një nga mënyrat për të punuar është ajo përmes klubeve studentore, ku studentët zhvillojnë aftësitë, talentet e tyre në mënyrë që të jenë të gatshëm për tregun e punës nesër”, nënvizoi Rakipllari.

Klubi i krijuar në universitetin e Durrësit, “Google Developers Student Clubs – GDSC” është klubi i parë në Shqipëri, që mbështetet nga gjigandi “Google”. 

Duke ngritur lart jehonën e universiteteve nga Shqipëria e vogël, shembulli i Ornelës njëherësh shemb edhe paragjykimet dhe barrierat për vajzat në sektorin IT-së.

K.Gj.