Autoriteti Rrugor Shqiptar njofton se në bashkëpunim me Policinë e Shtetit ka hequr mbrëmjen e djeshme nga rruga kombëtare Qafë Muzinë – Sarandë – Konispol 35 tabela me emërtime në gjuhën greke.
Në një njoftim për mediat, ARRSH tha se tabelat me gjuhën minoritare të zonës ishin vendosur jashtë standardeve të përcaktuara në Kodin Rrugor dhe pa miratimin e entit pronar të rrugës Autoritetit Rrugor Shqiptar.
NJOFTIMI I PLOTË
Nisur nga konstatimi për vendosjen në rrugën kombëtare Qafë Muzinë – Sarandë – Konispol, të sinjalistikës rrugore me emertime të qëndrave të banuara në gjuhën minoritare të zonës dhe shqipe, Autoriteti Rrugor Shqiptar gjatë mbrëmjes së mbrëmshme, në bashkëpunim me Policinë e shtetit ka realizuar heqjen e 35 tabelave, të cilat ishin vendosur jashtë standarteve të përcaktuara në Kodin Rrugor dhe pa miratimin e entit pronar të rrugës Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Sa me sipër, çdo palë e tretë jo ent pronar i rrugës, në kushtet kur vendos të ndërhyjë në rrugë apo vendosje sinjalistike treguese për zonat e banuara, duhet t’i referohet “Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë” dhe V.K.M Nr.446, datë 05.03.2008 “PËR PËRCAKTIMIN E SPECIFIKIMEVE TEKNIKE TË TABELAVE TË EMËRTIMEVE TË PARQEVE, SHESHEVE, BULEVARDEVE E RRUGËVE DHE TË NUMËRTIMEVE TË NDËRTESAVE”.
ARRSH konstatoi se 35 tabela të vendosura në këtë aks nacional, nuk plotësonin kushtet e përcaktuara në kodin rrugor të RSh për mbrojtjen e sigurisë rrugore të përdoruesve të rrugës, ku shumica prej tyre pengonte shikueshmërinë e tabelave rrugore paralajmeruese në këtë aks.
Gjithashtu u konstatua se këto tabela sinjalizuese nuk plotësonin specifikimet teknike të përcaktuara në legjislacionin në fuqi përsa i përket renditjes së emertimëve në gjuhën shqipe dhe atë minoritare, ngjyrës dhe madhësisë së shkrimit të përdorur.
Si rrjedhojë, duke e konsideruar vendosjen e këtyre tabelave në shkelje të procedurave ligjore, Autoriteti Rrugor Shqiptar, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, si dhe Policinë Gjyqësore, kanë ndërmarrë gjatë mbremjes se 4 majit masat për heqjen e këtyre tabelave duke eliminuar nga rruga 35 tabela sinjalizuese, të cilat ulnin sigurinë rrugore të mjeteve dhe përdoruesve të rrugës.





