Unaza e plazhit e cila shërben për lidhjen e aurostradës Tiranë-Durrës me autostradën Plepa- Kavajë në këtë fillim sezoni turistik është lënë në harresë të plotë pavarësisht se shqiptarët paguajnë çdo vit për mirëmbajtjen e saj.

ARRSH-ja në cilësinë e pronarit të rrugës ka dështuar në mirëmbajtjen e rrugës, ndërsa paratë që jepen çdo vit nuk dihet ku shkojnë.

E ndërtuar për autostradë e shfrytëzuar si e tillë nga mijëra automjete që qarkullojnë në të, segmenti nuk është mirëmbajtur dhe mungon sinjalistika e ndriçimi. Sikur të mos mjaftonte kjo, segmenti rrugor në kundërshtim me kodin rrugor në disa pjesë ka shpejtësi të kufizuar me 40 km/orë pavarëisht se është ndërtuar për autostradë.

200 metra rrugë qëndron e ndriçuar ndërsa pjesa tjetër në terr të plotë duke u bërë shkak për aksidente fatale, që nuk u gjenden as autorët.

Në errësirë shoferët duhet të kenë kujdes edhe pusetat e hapura sepse sa herë që makinat bien në to edhe dëmet materiale janë të mëdha. As siguraciononi nuk u mbulon asnjë dëm të tillë. Unaza e plazhit ka edhe disa kryqëzime me semaforë që herë pas here nuk punojnë ndërsa aksidentet e bëra në këtë rrugë kanë qënë të tmerrshme.

Kujtojmë këtu aksidëntin e ndodhur në muajin maj të vitit 2017, ku 2 persona humbën jetën ndërsa  4 të tjerë mbetën të plagosur. 6 të rinjtë udhëtonin me një automjet tip Peugeot me targa Tr 4863 R, në drejtim nga Plepat për Shkozet, dhe janë përplasur fillimisht në një kthesë me barrierën metalike dhe automjeti ka fluturuar 50 metra brenda oborrit të një banese në këtë zonë.

Në vend ka vdekur një prej të rinjve, ndërsa dy të tjerë kanë fluturuar disa metra jashtë makinës, ku i kanë gjetur banorët e zonës.

Sipas dëshmimtarëve okularë, automjeti me të cilin udhëtonin 6 të rinjtë, ka qenë me shpejtësi të lartë në këtë rrugë e cila ka parametra autostrade, por që mungojnë tërësisht elementet e sigurisë rrugore, duke nisur nga sinjalistika paralajmëruese për një kthesë të fortë.

Si rezultat i mungesës së sinjalistikës aksidentet rrugore në këtë zonë janë të përditshme, aq sa rruga ka marrë emrin si autostrada e vdekjes nga ana e banorëve.

K.H.